Mijëra avionë Airbus janë mbajtur të pezulluar pasi u zbulua se rrezatimi i fortë diellor mund të ndërhyjë në kompjuterët e kontrollit të fluturimit, duke shkaktuar vonesa në mbarë botën.
Rreth 6,000 avionë A320 mendohet se janë prekur – gjysma e flotës globale të kompanisë evropiane – por besohet se shumica e tyre do të mund të rikthehen në fluturim pasi t’u bëhet një përditësim i shpejtë i softuerit.
Rregullatori i aviacionit në Mbretërinë e Bashkuar deklaroi se do të ketë “disa pengesa dhe anulime fluturimesh”, megjithëse ndikimi në aeroporte duket i kufizuar.
Airbus tha se e zbuloi problemin pas hetimit të një incidenti në tetor, kur një avion që udhëtonte midis SHBA-së dhe Meksikës humbi papritur lartësi.
Fluturimi i JetBlue Airways bëri një ulje emergjente në Florida pasi të paktën 15 persona u plagosën.
Përveç A320, avionit më të shitur të kompanisë, preken edhe modelet A318, A319 dhe A321.
Mësohet se tek rreth 5,100 avionë Airbus problemi mund të zgjidhet me një përditësim të thjeshtë softueri që zakonisht zgjat rreth tre orë.
Megjithatë, 900 avionët e mbetur, që janë versione më të vjetra, do të duhet të zëvendësojnë fizikisht kompjuterët e bordit dhe nuk do të lejohen të transportojnë pasagjerë derisa puna të përfundojë. Kohëzgjatja do të varet nga disponueshmëria e kompjuterëve zëvendësues.
Airbus pranoi se kjo do të shkaktojë “pasoja operacionale për pasagjerët dhe klientët” dhe kërkoi falje.
Analistja e aviacionit Sally Gethin i tha BBC News se situata është “shumë jashtë normales”, duke shtuar se shkalla e ndërprerjeve për pasagjerët do të varet nga “qëndrimet e ndryshme që do të marrin linjat ajrore” për përditësimin.
Në Mbretërinë e Bashkuar, deri tani ka pasur pak pengesa. Aeroporti i Gatwick raportoi “disa vonesa”, ndërsa Heathrow tha se nuk ka patur anulime. Aeroporti i Manchester nuk pret probleme të mëdha.
Shkalla e prekjeve ndryshon sipas linjës ajrore: British Airways thuhet se nuk është goditur rëndë, ndërsa Wizz Air dhe Air India thanë se përditësimet tashmë po kryhen.
Të dhënat publike sugjeruan se Air France ishte prekur më shumë se çdo kompani tjetër, me 50 fluturime të anuluara të shtunën në mëngjes nga dhe drejt qendrës së saj në Paris.
Ndërkohë EasyJet tha se priste “disa ndërprerje”, por më pas njoftoi se kishte filluar dhe “përfunduar tashmë përditësimin në shumë avionë” dhe synonte operim të plotë të shtunën.
Në SHBA, problemi me softuerin doli në skenë në të njëjtën fundjavë me Ditën e Falënderimeve – një nga periudhat më të ngarkuara të udhëtimeve të vitit.
American Airlines tha se 340 avionë të saj ishin prekur dhe se priste “disa vonesa operacionale”, por shtoi se pjesa dërrmuese e përditësimeve do të përfundonin deri të premten ose të shtunën. Delta Airlines deklaroi se priste ndikim të kufizuar.
Në Australi, linja me kosto të ulët Jetstar anuloi 90 fluturime pasi konfirmoi se rreth një e treta e flotës së saj ishte prekur, me ndërprerje që pritet të vazhdojnë gjithë fundjavën, pavarësisht se shumica e avionëve e kishin marrë përditësimin.
Tim Johnson, drejtor i politikave në Autoritetin e Aviacionit Civil të Mbretërisë së Bashkuar, tha se njoftimi i Airbus “mund të nënkuptojë disa ndërprerje, vonesa ose anulime ditët e ardhshme”.
Ai shtoi se aviacioni mbetet “një nga format më të sigurta të transportit” falë programeve rigoroze të mirëmbajtjes dhe e përshkroi këtë bllokim masiv si “një ngjarje shumë të rrallë”.
Sekretarja e Transportit, Heidi Alexander, tha se “ndikimi tek linjat britanike duket i kufizuar”, duke shtuar: “Është inkurajuese që problemi u identifikua dhe po zgjidhet kaq shpejt, çka tregon standardet e larta të sigurisë globale.”
‘Veprim paraprak’
Problemi i identifikuar te avionët A320 lidhet me një pjesë të softuerit kompjuterik që llogarit lartësinë e avionit.
Airbus zbuloi se, në lartësi të mëdha, të dhënat mund të dëmtohen nga rrezatimi intensiv i lëshuar periodikisht nga Dielli.
Ky defekt çoi në incidentin e tetorit, kur një avion humbi papritur lartësinë – megjithëse prodhuesi tha se ky ishte rasti i vetëm i tillë i dokumentuar.
Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit (EASA) ka lëshuar një direktivë urgjente ajrore, duke urdhëruar që problemi të zgjidhet para se çdo avion të transportojë sërish pasagjerë.
Avionët do të lejohen të kryejnë “fluturime transferimi” pa pasagjerë për të arritur në një qendër mirëmbajtjeje.
Familja A320 është e tipit “fly-by-wire”, që do të thotë se nuk ka lidhje mekanike direkte midis komandave të pilotit dhe pjesëve që kontrollojnë fluturimin; veprimet e pilotit përpunohen nga kompjuteri i avionit.