Për herë të parë pas më shumë se katër muajsh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takohen sot në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i procesit, ka njoftuar se takimi i diplomatëve evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak, me Vuçiçin ka nisur në orën 9:00, ndërsa me Kurtin do të pasojë në orën 10:00.
Takimi trepalësh, sipas njoftimit, do të fillojë nga ora 11:00 dhe temë diskutimi do të ketë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin shkurt.
Kjo marrëveshje me 11 nene parasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë; kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, dhe i obligon ato që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.
Kurti dhe Vuçiç, sipas agjendës që ka publikuar BE-ja, do të diskutojnë edhe për “çështjet aktuale”. Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje që t’i marrin seriozisht obligimet e tyre./REL