Çdo qytetar mund të pajiset me kartën e identitetit brenda tre ditësh. IdentiTek, kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve biometrike ka publikuar risinë ku përmes një kuponi prej 3 mijë lekësh të reja, qytetarët shqiptarë nuk do të presin 14 ditë për të marrë ID e re, por për tre ditë.
Ky shërbim u vjen në ndihmë të gjithë qytetarëve, të cilët kanë nevojë urgjente për të marrë kartën e identitetit në një kohë të shkurtër, siç janë emigrantët, të cilët mund të qëndrojnë pak ditë në Shqipëri.
Kjo praktikë është e njëjta që ndiqet edhe me marrjen e pasaportës, ky qytetarët duhet të paguajnë një çmim më të lartë për ta marrë atë brenda tre ditësh.
“Falë këtij shërbimi, përmes një pagese prej 3 mijë lekësh, çdo qytetar mund të pajiset me letërnjoftim elektronik brenda 3 ditësh. Shërbimi është krijuar për të lehtësuar dhe përshpejtuar procesin e aplikimit, duke u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë nevojë urgjente për dokumentin e tyre të identifikimit. Procedura e përshpejtuar është veçanërisht e dobishme për emigrantët, të cilët qëndrojnë për pak ditë në Shqipëri, si edhe për të gjithë ata që kanë nevojë të marrin shpejt kartën e tyre të identitetit, qoftë për arsye personale, profesionale apo administrative”, tha Ministria e Brendshme.