Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u paarqit sot në SPAK ku dha sqarime para prokurorëve në lidhje me hetimin pasuror ndaj tij dhe familjarëve.
Ai qëndroi për pesë orë në SPAK, ndërsa kur la ambienetet e Prokurorisë së Posaçme, kryebashkiaku i Tiranës nuk tha asgjë para gazetarëve, ndërsa pohoi se për detajet do fliste në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, i cili u mblodh pasditen e kësaj të enjteje
Veliaj theksoi se u paraqit në SPAK për shkak të denoncimit nga një person që sipas tij është anonim dhe nuk ekziston.
“Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që quhet Nesti Angoni, i cili është një personazh që nuk ekziston, për të na kthyer mallin e letrave anonime. Unë e kuptoj që disa njerëz që nuk na mundin dot në betejë dhe në zgjedhje janë kthyer në zanatin e letrave anonime. Nesti Angoni nuk ekziton. Të gjithë e dimë se cfarë përfaqëson ky emër, çfarë mentaliteti përfaqëson dhe cfarë kulture linçuese përfaqëson ky stil. Duke qenë se kryetari i bashkisë ka në zotërim të gjithë regjistrin civil dhe mund të verifikojë qartazi që është një kurth i sajuar, kam qenë bashkëpunues. Do ishte shqetësuese nëse kryetari i bashkisë edhe për kurthe anonime nuk paraqitet. E di gjithë Tirana ku jetoj unë, e di gjithë Tirana ku banoj unë, ku isha përpara zgjedhjeve, ku do vazhdoj pas zgjedhjeve dhe ku do jem deri në fund të kësaj detyre.Kështu që, unë hyj tek ajo rracë politikanësh që nuk i thotë SPAK-ut SKAP kur s’i intereson dhe i thotë SPAK kur i intereson për kundërshtarët e vet. As nuk kam bërë antiprotesta, nuk kam bërë letra anonime se vij nga një brez jo i letrave anonime dheas nuk i them SPAK plaç kur shkon dhe me letra anonime mundohet. Këtu do jemi, në maj do ju mundim me gjithë letra anonime, me gjithë kurthe, edhe me gjithë klithmat e hienave. Këtu do jemi dhe do e shikoni, ku është populli”, tha ai.
Nënkryetari i Këshillit bashkiak të Tiranës, nga radhët e PD, Dorian Teliti i kërkoi Veliajt të mos bëjë politikë në mbledhjen e Këshillit, por të sqarojë konkretisht se çfarë ka ndodhur në SPAK.
Ai theksoi se Veliaj duhet të japë dorëheqjen dhe të bëjë transparencë të plotë para qytetarëve të Tiranës.
“Deklaratat politike këtu s’i bën dot. Je i ftuar këtu, në këtë sallë dhe thuaj çfarë ka ndodh sot. Bëni transparencën, jep dorëheqjen”, tha Teliti.