Javën e ardhshme konferenca ndërqeveritare, kryeminstri hungarez: Shqipëria duhet të ishte në BE, por ka shumë pengesa politike

Kryeministri i Hungarisë, Victor Orban ka deklaruar sot se Shqipëria duhet të ishte pjesë e Bashkimit Europian, por në rrugën e saj ka disa pengesa politike, që janë të vështira për t’i kaluar.

Deklarata e Orban u bë gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, me këtë të fundit që ndodhet në një vizitë zyrtare në Hungari.

Më tej, Orban shtoi se gjatë javës së ardhshme do të zhvillohet edhe konferenca e dytë ndërqeveritare me Shqipërinë, e cila do të mbahet në kohën që Hungaria mban presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian, dhe teksa mori shembullin e Kroacisë, ai e sheh këtë si një ogur të mirë.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pritur për 15 vite mesatarisht për t’u bërë pjesë e BE, ndërsa Shqipëria ka pritur që prej vitit 2019. Unë në fakt kam folur për këtë edhe në Strasburg sepse mendoj që kura më e mirë për këtë situatë është që BE t’i mirëpresë vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, sepse kështu gjaku qarkullon më mirë tek ne në familjen europiane.

Shqipëria duhet të ishte pjesë e BE dhe duhet të jetë edhe tani. Por edhe pse po shohim pengesa politike, javën e ardhshme do të kemi konferencën e parë ndërqeveritare dhe do të hapen kapitujt e parë. Dhe më vjen shumë mirë kjo ndodh nën presidencën tonë. Herën e fundit që kemi pasur diskutime të tilla kanë qenë kur ne kemi qenë në presidencë dhe Kroacia u bë anëtare e BE. Dhe që atëherë nuk kemi pasur anëtarësime të tjera në BE”- u shpreh Orban.