Iu gjetën 4 mijë rrënjë kanabisi në magazinën e tij, drejtori i burgut Rrogozhinë vetëdorëzohet në polici

Është vetëdorëzuar në polici drejtori i burgut të Rrogozhinës Bilal Hasa, pasi në një magazinë në pronësi të tij në fshatin Kurtaj u gjetën dy ambiente të përshtatura për kultivim me rreth 4 mijë bimë kanabisi dhe pajisje elektrike, përfshirë llamba dhe neonë.

Burime për mediat bëjnë me dije se Hasa ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura në njoftimin policor, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e paligjshme të zbuluar në godinë.

Mësohet se ai ka pohuar se prej disa muajsh nuk ka shkuar në atë objekt dhe se nuk ka pasur dijeni për atë që mund të ishte ushtruar aty.

Lidhur më këtë rast, reagoi Drejtoria e Burgjeve duke njoftuar pezullimin nga detyra të Bilal Hasës deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet kompetente, ndërsa thekson se distancohet nga çdo veprim i paligjshëm.

Ndërkohë në kërkim vijon të jetë Ervis Maçi, me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.

Njoftimi i policisë:

Peqin/Finalizohet operacioni policor i koduar “Kurtaj” për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura me anë të llambave.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Krimet në Volum në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan.

Zbulohen 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike.

Sekuestrohen rreth 4000 bimë kanabisi, llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike.

Shpallet në kërkim pronari i ambientit.

Në kërkim edhe përgjegjësi i OSHEE-së për Peqinin, për shpërdorim detyre.

Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë në kuadër të operacionit policor të koduar “Kurtaj”, ushtruan kontroll në fshatin Kurtaj, njësia administrative Gjocaj.

Gjatë kontrollit, në bodrumin e një magazine, u konstatuan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin kultivuar rreth 4000 bimë kanabis.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ambienti është në pronësi të shtetasit B. H., i cili u shpall në kërkim.

Në vijim të veprimeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, u shpall në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.

Shërbimet e Policisë vijojnë punën për kapjen e tyre.