Vuante dënimin për dhunë në familje, ndërron jetë 33-vjeçarja në QSUT

Një 33-vjeçare ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).

Bëhet fjalë për Afërdita Leke Hajdarkola, e lindur më 3 korrik 1992 në Tropojë dhe banuese në Tiranë. Ajo vuante dënimin me burg për veprën penale “dhunë në familje”.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, e reja vuante nga probleme të rënda shëndetësore, përfshirë insuficiencë renale, dhe trajtohej me dializë. Ajo ishte transferuar në Qendrën Spitalore të Burgjeve në tetor 2020, pasi fillimisht ishte akomoduar në IEVP “Ali Demi”.

Mbrëmjen e djeshme, Hajdarkola u shtrua në Reanimacionin Qendror të QSUT në gjendje të rënduar shëndetësore, me acidozë metabolike dhe hipotension.

Rreth orës 03:40 të mëngjesit të kësaj të marte, ajo ndërroi jetë si pasojë e arrestit kardiopulmonar. Grupi hetimor po heton mbi rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.