Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranë janë konfiksuar pasuritë e ish-zyrtares së lartë, Alda Klosi dhe të bashkëshortit të saj. Vendimi për sekuestrimin ka ardhur pasi ish-shefja e kabinetit të ish-ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj nuk justifikon dot pasurinë e saj.
Klosit i janë sekuestruar 462 mijë euro, 15.600 Dollarë dhe 368 mijë lekë, një apartament dhe një garazh në Tiranë. Këto pasuri të paluajtshme janë fshehur dhe nuk janë deklaruar në deklaratat e ILDKPI nga Alda Klosi.
Kujtojmë se Alda Klosi u dënua me 2 vite dhe 6 muaj burg nga Gjykata e Tiranës për fshehje pasurie pasi grabitjes së qindra mijëra eurove në banesën e saj, nga Rozeta Dobi dhe djali i saj. Këta të fundit u dënuan respektivisht me 7 vjet dhe 5 vjet burg.
Njoftimi i Prokurorisë:
Me kërkesë të Prokurorisë Tiranë, konfiskohen pasuritë e shtetases A.K. dhe ish-bashkëshortit
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjykata konfiskoi pasuritë e shtetases A.K. dhe ish-bashkëshortit të saj, të akuzuar për veprën penale ‘Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim’ parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
Nga procedimi pasuror nr.05, 2022, rezultoi se e pandehura/subjekti i hetimit pasuror A.K. e cila është përfshirë si subjekt deklarimi në ILDKPKI që në vitin 2016, nuk ka deklaruar në këtë institucion pasurinë që nuk e justifikon atë me burime të ligjshme të të ardhurave.
Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar rezulton se pasuritë e paluajtshme të llojit apartament dhe garazh, që zotërohen nga ajo dhe nga personi i lidhur, janë pasuri të pajustifikuara nga të ardhurat e ligjshme. Këto pasuri të paluajtshme janë fshehur dhe nuk janë deklaruar në deklaratat e ILDKPI nga personi i hetuar A.K.
Sa më sipër, si dhe në mbështetje të neneve 3, 5, 7, 12/b, 14, 15 deri në 22, 23, 24, 28-38 e vijues, të Ligjit nr.10192 datë 03/12/2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, i ndryshuar, si dhe në nenin 302 të Kodit të Procedurës Civile, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë u konfiskuan pasuritë e mëposhtme:
– Shuma monetare 368.000,00 (treqind e gjashtëdhjetë tetëmijë) Lekë, 15.600,00 (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind) USD dollarë amerikan, 462.950,00 (katërqind e gjashtëdhjetëedymijë e nëntëqindepesëdhjetë) Euro, sekuestruar për llogari të procedimit penal nr. 9220/2022 dhe arkëtuar në llogarinë e Prokurorisë në 10.01.2023;
– Apartament me siperfaqe 85.09 m2 të shfrytëzueshme me numër pasurie 6/572+1-35, ZK 8210, Vol. 42,Fq 127 pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A.K.; dhe
-Garazh me sipërfaqe 14.06 m2 të shfrytëzueshme, pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A.K.