Ish ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj del hapur kundër Ramës: Legalizimi i kanabisit, një biznes që vret!

Ligji për legalizimin e kanabisit, i cili u votua natën e kaluar në Kuvend ka hasur në kundërshtimin e tre deputetëve të PS, Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj dhe Erjon Braçe.

Ish ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj madje ka renditur disa arsye duke folur në foltore, se përse ai nuk është dakord që të legalizohet kanabisi, edhe pse gjatë votimit nuk kundërshtoi, por abstenoi.

Sipas Xhafajt kjo është një qasje e gabuar dhe një hap i parakohshëm për Shqipërinë.

“Në këto 25 vite, dy vitet që isha ministër 2017-2018 janë vitet që kanë rezultatin më të ulët historik të kultivimit të kanabisit. Pothuajse zero kultivim kanabisi i krahasuar me vitet e mëparshme. Po pse ndodhi dy vite rresh ka arsye të shumta. E solla këtë shembull për të treguar një nga arsyet se pse sjellja e  këtij pr.ligji më bën të jem reflektues në qëndrimin tim. Historia e kanabisit është nga më të ndërlikuarat dhe dëshmia më e plotë e historisë së rritjes së krimit ndër vite, qasjes së shtetit në përballje me të dhe përballje së politikës me krimin.

Ju demokratët që e nisët, e lejuar dhe e legalizuat dhe e përligjet politikisht Lazaratin duke e konsideruar një vendimmarrje politike të qëllimshme mos ndërhyrjes ndaj këtij fenomeni. Historia është e errët dhe për ne socialistët. Ne kemi luftuar me kanabisin, fort gjithë këto vite si mazhorancë. Kanabisi nuk është i legalizuar, as si kultivim dhe as si përdorim. Ai është miku i të varfërve, dhe miku i të rinjve. A kemi ne sot një analizë të plotë se çfarë ka ndodhur me kanabisin?!

Nuk kemi një analizë gjithëpërfshirëse. A është gati shoqëria shqiptare për këtë projektligj me rreziqe të mëdha sociale? Mendoj se kjo është qasje e gabuar. Ky është një biznes që vret. Po ashtu vret besimin e njerëzve tek puna dhe njerëzit e punës, Vret përpjekjet tona, të politikës dhe të atyre që punojnë për të ndërtuar një imazh tjetër për Shqipërinë. Mendoj se është një hap i parakohshëm për Shqipërinë”, tha ndër të tjera Xhafaj.