Inteligjenca artificiale mund të parashikojë sëmundje vdekjeprurëse 10 vite përpara se të shfaqen

Shkencëtarët kanë krijuar një mjet revolucionar të inteligjencës artificiale (AI) që mund të parashikojë rrezikun e zhvillimit të më shumë se 1,000 sëmundjeve, deri në 10 vite përpara se ato të shfaqen, sipas një studimi të publikuar të mërkurën në revistën prestigjioze “Nature”.

Modeli i avancuar i AI-së është trajnua me të dhëna të anonimizuara nga 400,000 pacientë në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas u testua mbi një bazë shumë më të gjerë me 1.9 milionë persona në Danimarkë. Ai është në gjendje të parashikojë sëmundje të rënda si kanceri, infarktet dhe sëmundjet kronike, më shumë se një dekadë para se të diagnostikohen zyrtarisht.

Studiuesit e përshkruajnë këtë zhvillim si një nga hapat më të mëdhenj në përdorimin e AI-së për përmirësimin e kujdesit shëndetësor. Megjithëse mjeti nuk është ende gati për përdorim klinik, ai tashmë po ndihmon shkencëtarët të kuptojnë më mirë zhvillimin e sëmundjeve me kalimin e kohës, si dhe ndikimin e stilit të jetesës dhe historisë mjekësore në shëndetin afatgjatë të individëve.

Megjithatë, ekspertë të pavarur kanë paralajmëruar për kufizimet e modelit, pasi të dhënat e përdorura për trajnimin dhe testimin e tij janë të njëanshme – kryesisht nga popullata evropiane, me moshë dhe etni të ngjashme. Sipas tyre, nevojitet më shumë punë dhe testime ndërkombëtare për të siguruar që modeli të funksionojë me saktësi për popullata më të ndryshme.

Në të ardhmen, ky mjet mund të bëhet një ndihmës i fuqishëm për mjekët në parandalimin e sëmundjeve, duke identifikuar pacientët në rrezik përpara se simptomat të shfaqen.