Integrimi në BE/ Shqipëria hap tjetër kapitull, konferenca e tretë ndërqeveritare mbahet më 17 dhjetor

Shqipëria ka hapur një tjetër kapitull për negociatat për integrimin në familjen e madhe të Bashkimit Evropian, proces ky i cili kërkon padiskutim kryerjen e reformave kyçe në të gjithë sektorët.

Këtë të premte është miratuar Pozicioni i Përbashkët për Klasterin 6, i cili përfshin “Marrëdhëniet e Jashtme”.

Ky sinjal i gjelbër hap rrugën zhvillimit të Konferencës së Tretë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE. Presidenca hungareze konfirmon se konferecna e tretë do të mbahet më 17 dhjetor.

“Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së kanë miratuar Pozicionin e Përbashkët të BE-së për Klasterin 6: Marrëdhëniet e Jashtme, duke hapur rrugën për mbajtjen e konferencës së tretë ndërqeveritare me Shqipërinë më 17 dhjetor. Kjo konferencë, e dyta gjatë presidencës hungareze, pasqyron angazhimin e BE-së për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit për vendet kandidate”, thuhet në reagimin e Presidencës hungareze të BE. 

Pak kohë më parë u hapën dhe grupkapitujt, të njohur si “Themelorët”, që përfshijnë reformat kyçe në drejtësi, sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve demokratike. 

Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat me 15 tetor 2024 për kapitujt e parë me Bashkimin Evropian. Konferenca e ardhshme Ndërqeveritare është e dyta, e cila zhvillohet gjatë presidencës së Hungarisë në Këshillin e Evropës/Ditar.al