Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dhënë vendimin për ish-deputetin e PS, Alqi Bllako lidhur me dosjen e inceneratorit të Tiranës.
Bllako është shpallur fajtor për një episod korrupsioni në vlerën e 119 mijë eurove. Ndërsa ai u shpall i pafajmshëm në një rast tjetër që lidhet me përfitimin e shumës prej 7.5 milionë lekësh përmes Vladimir Bezhanit, për shkak se fakti nuk përbën vepër penale.
Dënimi për Bllakon u ul nga 4 vite burg në 3 vite, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar ai do të vuajë përfundimisht 2 vite burgim.
Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe vënien e tij në shërbim prove, me detyrimin për të mbajtur kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës në Tiranë.
NJOFTIMI PËR MEDIAT
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Engert Pëllumbi (anëtar) dhe Daniela Shirka (anëtare), sot më 20.05.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 30 akti, datë 11.03.2026 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj vendimit nr. 69, datë 04.11.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 69, datë 04.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa ka disponuar lidhur me fajësinë, cilësimin juridik dhe masën e dënimit të dhënë për faktin penal të përfitimit të parregullt të shumës 119,715 (njëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë) euro, si dhe për disponimet lidhur me aplikimin e dënimit plotësues dhe shpenzimet gjyqësore.
Ndryshimin e vendimit nr. 69, datë 04.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën tjetër, si më poshtë:
-Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit A.B, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, sipas kësaj dispozite para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021, për faktin penal lidhur me përfitimin e parregullt për shtetasin V.B në vlerën 7.520.000 (shtatë milion e pesëqind e njëzet mijë) lekë, për shkak se fakti nuk përbën vepër penale.
-Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit A.B i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë për faktin penal të përfitimit të parregullt të shumës 119,715 (njëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë) euro, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.
-Në bazë dhe për zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë e të pandehurit A.B për një periudhë kohe të barabartë me dyfishin e pjesës së mbetur të pavuajtur të dënimit me burgim.
-Detyrimin e të pandehurit A.B të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë.
-Detyrimin e të pandehurit A.B të mos shoqërohet me persona të dënuar.
-Ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.
Ndryshimin e vendimit nr. 682, datë 28.11.2024 të Gjykatëssë Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vetëm për sa i përket disponimit për caktimin e gjobës në masën 10.000 (dhjetë mijë) lekë për kërkuesin Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organziuar, duke e hequr masën e gjobës.
Shpenzimet e gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurit.
Kundër këtij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
U shpall në Tiranë, sot më datë 20.05.2026.