GJJKKO vendosi që kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta do të vijojë të qëndrojë në burg. Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e tij për të zëvendësuar masën e sigurisë dhe lirimin nga paraburgimi, ku qëndron prej tetorit të vitit të kaluar, i akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani, tha se klienti i tij ndodhet në burg për motive politike. Ndërkohë në lidhje me dyshimet e SPAK se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë përdorur një kartë bankare për blerje e shpenzime jashtë vendit të dhënë nga biznesmeni Ardian Shatku, Cakrani tha se kreu i PL nuk ka qenë në dijeni të kësaj karte.
“Meta nuk ka dijeni, nuk ka përdorur kurrë karta. Nuk ka dijeni se çka ndodhur me zonjë Kryemadhi. Janë dy entitete të ndryshme. Mbajnë përgjegjësi për veten e vet. Zoti Meta, askush nuk e di pse duhet të qëndrojë në masën e sigurisë.
Organi i akuzës u përqendrua te lobimi, se i thamë ku është firma e kryetarit të LSI. Ata thanë nuk ka dijeni zoti Meta, por duhet të kishte. Ne i thamë kush i ka paguar. Është një avokat grek, që ka ngatërruar politikën greke dhe shqiptare. Prokuroria nuk është se kishte prova. Zoti Kllapi nuk ka dijeni. Ju e dini që kjo është një çështje politike. Hetimet nuk kanë përfunduar. Ka dhe persona që kanë dhënë dëshmi të rremë. Përpara oficerit të policisë. Dëshmitë e rreme janë vepër penale. Do marrim masat tona në një moment të caktuar”- tha Cakrani jashtë dyerve të gjykatës.