Është identifikuar dhe shpallur në kërkim njëri prej autorëve që dhunoi avokatin e ish-presidentit Ilir Meta, Kujtim Cakrani, ngjarje kjo e ndodhur dje në Vlorë.
Sipas policisë, njëri prej dhunuesve të avokatit është 40 vjeçari Skerdilajd Xhindi. Ky i fundit është shpallur në kërkim për veprën penale:Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Sa i takon avokatit Kujtim Cakrani, ai vijon të jetë në spital nën kujdesinë mjekëve.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për ngjarjen e ndodhur në rrugën Transballkanike, ku mbeti i dëmtuar shtetasi K. C., me profesion avokat, bëjmë me dije se nga puna intensive e kryer nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, u bë i mundur identifikimi i njërit prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit S. Xh., 40 vjeç, banues në Vlorë, i cili u shpall në kërkim për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit S. Xh. Ndërkohë, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.
Shtetasi K. C. vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.