Rezoluta anti-korrupsion e propozuar nga mazhoranca ishte parashikuar të diskutohej gjerësisht mes palëve politike, por ka mjaftuar një seancë plenare dhe Partia Socialsite e ka miratuar menjëherë.
Ndërkohë, pas miratimit në seancën e të hënës, ditën e nesërme mazhoranca ka nxituar dhe ka futur në rendin e ditës votimin e Komisionit të Posaçëm që do të formohet për luftën ndaj korrupsionit, i cili pritet të drejtohet nga Fatmir Xhafaj.
Por pse Rama po nxiton për të ngritur këtë Komision, që për opozitën do të shërbejë vetëm për të luftuar SPAK-un?
Prokuroria e Posaçme është duke mbyllur disa nga dosjet më të bujshme në vend, një prej të cilave është edhe afera e inceneratorëve. Për këtë aferë janë thirrur edhe zyrtarët më të lartë, si Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Ëngjëll Agaçi, apo zv.kryeministrja Belinda Balluku, së bashku me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
I vetmi që nuk është thirrur ende nga SPAK është kryeministri Rama, edhe pse ai është një nga personat më të rëndësishëm të kësaj çështje, pasi inceneratorët kanë marrë jetë pas firmës së tij.
Gjithashtu SPAK po heton edhe skandalin McGonigal, ku i përfshirë është edhe vetë kryeministri Rama. Prokuroria amerikane zbuloi se ish-agjenti i FBI-së ndërmerrte veprime në favor të Ramës, pasi kishte marrë më shumë se 250 mijë dollarë nga një biznesmen shqiptar.
Sipas dosjes së prokurorisë amerikane, McGonigal i kërkon të largojë një kompani nafte që ka lidhje me rusët dhe t’i japë licencë një tjetre. McGonigal ka pranuar edhe se iu kërkua të niste hetime për lobimin e një partie të opozitës, që më vonë doli se ishte Partia Demokratike.
SPAK është duke hetuar për këtë çështje, por deri më tani nuk ka dhënë asnjë informacion as nëse ka marrë dosjen e prokurorisë së SHBA-së.
Një tjetër çështje ku SPAK është duke mbyllur hetimet është edhe ajo e shpalljes investitor strategjik të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres Olta Xhaçka.
AI e përfitoi statusin kur Xhaçka ishte ministre, në konflikt të hapur interesi, por që nuk e pengoi kryeministri Rama të merrte vendimin. Komisioni që jep statusin “investitor strategjik” është nën varësinë e kryeministrit, ndaj edhe Rama është i përfshirë në këtë çështje konflikti interesi.
Për asnjë nga këto hetime kryeministri nuk është thirrur të japë dëshminë e tij, por nuk duket e largët koha që edhe ai të përballet me drejtësinë.
Ndoshta, duke parë që laku po ngushtohet, Rama ka marrë masa paraprake, që me anë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar të frenojë veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme, që ka futur në burg shumë prej bashkëpunëtorëve të tij.