I promovuar nga politikanët në Shqipëri, mediat kosovare: Noizy me shokë rreh me doreza hekuri një person në Pejë

Reperi shqiptar Noizy, i promovuar shpesh edhe nga kryebashkiaku i Tiranës Veliaj apo edhe kryeministri Edi Rama, është përfshirë sërish në një sherr të dhunshëm në Kosovë.

Sipas mediave atje, Noizy së bashku me 7 shokë të tij kanë dhunuar me doreza hekuri personazhin e Tik Tok, Medi Isenin dhe Bekim Hardergjonaj brenda një klub nate në Pejë.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, ndërsa ende nuk dihet arsyeja pse dy grupet janë përfshirë në sherr në klubin e natës.

Personazhi i TikTok dhe shoku i tij, Bekim Hardergjonaj raportohet se janë dërguar në spital ku po marrin ndihmë mjekësore, por nuk dihet gjendja e tyre.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe zëdhënësi i policisë në Pejë, Shkodra Nikçi ka deklaruar se Prokuroria ka nisur hetimet lidhur me rastin.

“Është inicuar rast për këtë çështje. Policia është ne fazën e grumbullimit te provave. Jemi në pritje për të gjeturat e Policisë. Prokurori i shtetit pasi ti marre te gjeturat e Policisë do veprojë komfor dispozitave ligjore”, tha Nikçi për median e Kosovës.

Noizy dhe Medi Iseni janë përfshirë në konflikt edhe rreth dy vite më parë. Ngjarja ndodhi gjatë një koncerit të reperit,ku fansat e tij dhunuan duke qëlluar me grushte Medi Isenin.

“Më rrahën dhe më nxorën nga klubi, çfarë të bëj tani”, tha ai, ndërsa pamjet e momentit u bënë virale.

Medi Iseni është shoku i Kozakut dhe ka pasur përplasje e ofendime me reperin Noizy.