Ish-kreu i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro është dënuar me 1 vit e 4 muaj burg lidhur me tjetërsimin e pronave në Livadhë. GJKKO e dënoi Goron me 2 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i zbriti në 16 muaj. Po ashtu GJKKO e ndalon që për një periudhë 5 vjeçare të ushtrojë funksione publike.
Dënimi i Goros lidhet me 4263 m2 tokë që ai i dhuroi Arqile Bollanos, i cili u zgjodh kryetar i komanduar në Himarë, pas arrestimit të Goros.
Gjithashtu dënimi me 1 vit e 6 muaj burg u dha për Vasillaq Strakosha, ish-drejtor i Menaxhimit të Pronave në Bashkinë e Himarës. Dënimi ndaj tij pezullohet në 2 vite shërbim prove. Po ashtu edhe Strakoshës i është hequr e drejta për të mbajtur funksione publike për 5 vite.
SPAK nisi hetimet për këtë rast pas kallëzimit të Fredi Belerit, i cili e akuzonte se në vitin 2016, Goro ka tjetërsuar një sipërfaqe prej 4.263 metra katrorë tokë, duke e kaluar në mënyrë të paligjshme në pronësi të Arqile Bollanos.
Kujtojmë se më herët, Goro është dënuar me dy vite burg lidhur me tjetërsimin e tokave në Himarë, në favor të bashkëshortit të ish-ministres, Olta Xhaçka.