Dalin detaje te reja nga vrasja që i dënuari përjetë Sokol Mjacaj kreu në burgun e Peqinit, ku ekzekutoi Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan, edhe ata të dënuar përjetë. Drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha, tashmë i arrestuar për shpërdorim detyre, ka zbardhur bisedën e tij me Sokol Mjacaj.
Sipas Kamber Hoxhës, pas vrasjes, Sokol Mjacaj ka shkuar në dhomen ku zhvillohen takimet familjare dhe ka mbyllur derën nga brenda. Mjacaj ka deklaruar se kerkon prokurorin dhe nëse do ta sillnin do t’i dorëzonte pistoletën dhe do t’i tregonte gjithçka.
Hoxha nënvizoi se Mjacajt i kanë vënë prangat pas negociatave të shumta me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve.
“Më datë 15.12.2023 rreth orës 13:52 minuta kam qenë në ambientet e zyrës, ku kam dëgjuar në radio dhënëse marrëse se diçka po ndodhte në godinën B, në ambientet e ajrosjes. Më raportuan në radio se ka ngjarje dhe duhet ambulanca menjëherë. Në moment kam dalë nga zyra dhe jam nisur për në regjim të brendshëm. Aty kam parë se ishin dy të plagosur me armë zjarri. Hipën të dy të plagosurit në ambulancë dhe i nisën për në spitalin e Peqinit për ndihmë mjekësore. Pas kësaj u futa në ambientet e brendshme midis dy godinave të akomodimit të dënuarve dhe ka shkuar tek vendi ku ishte i vendosur i burgosuri Sokol Mjaca.
Nga komunikimet që unë pata me punonjësit e ajrosjes mu tha që Sokoli i kishte kërkuar që të shkonte të merrte kafe në dhomë. Ka shkuar nga ajrosja që gjendet në katin e parë, për në katin e dytë ku ndodhej dhoma e tij, pastaj ka zbritur përsëri poshtë për të dalë për në shëshin e ajrosjes. Dhoma ku janë dy të dëmtuarit është dhoma e parë, majtas në katin e parë, në një distancë rreth 5 metër nga sheshet e ajërimit. Aty nga dritarja pasi i foli në emër të dëmtuarve i ka qëlluar me armë. Pastaj ndërhynë punonjësit e policisë dhe e çuan tek ambientet e takimit. Në këtë kohë Sokoli i vendosi pistoletën në qafë punonjësit të policisë, emrin e të cilit nuk e di. Pas kësaj e futën në dhomat e takimit të familjarëve. Derën ku u fut Sokoli e mbylli me shul hekuri (lloz) nga brenda.”-mësohet të ketë thënë drejtori i burgut në dëshminë e tij.
Më tej, Kamber Hoxha pretendon se i është afruar derës së Mjacajt, por ky i fundit nuk pranoi të dorëzohej. Më pas ai dëshmon se i dhanë një palë pranga, me të cilat autori prangosi veten.
“Afrohem tek dera dhe i burgosuri me tha që dua prokurorin se do ta dorëzoj armën. Në këto momente, i thashë një policit që të njoftonte oficerin e informacionit që të më sjelli telefonin brenda. Në orën 14:01 telefonova Drejtorin e Përgjithshëm, i cilit i raportova që kemi nje ngjarje, plagosje me armë të dy bashkëvujtësve të dënimit dhe pistoletën e ka me vete. Pastaj kam qëndruar mbrapa derës, kurse Sokoli qëndronte nga brenda derës. E vetmja kërkesë që kishte, ishte që kërkonte prokurorin. Thoshte që nëse vjen prokurori do të dorëzoj armën dhe do t’i tregoj të gjitha.
Pas shumë negociatash bashkë me drejtorin e përgjithshëm shkuam, i dhamë një palë pranga, me të cilat u prangos vetë dhe e la armën në tokë sië i thamë neve. Hapi derën dhe e shoqëruam me shërbimet e policisë.”