Ermal Hoxha, i dënuar më herët për laboratorin e kokainës në Xibrakë është paraqitur në SPAK. Mësohet se Hoxha është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme ditën e hënë, por ende nuk dihen arsyet se përse ai është thirrur në SPAK.
Ermal Hoxha ishtë një prej anëtarëve të grupit të Xibrakës ndërsa u lirua nga burgu në shtator të vitit 2018 edhe pse i kishte mbetur 1 vit e 8 muaj burg për të shlyer.
Ai u lirua me kushtin që nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale dhe nuk duhet të shoqërohet me persona të inkriminuar.
Nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha ishte personi që mbulonte likuidimin e drogës kur hynte në Shqipëri dhe që merrte paratë nga marrësit kur nxirrnin kokainë jashtë vendit.
Hoxha u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda në korrik të 2017 me 10 vite burgim me gjykim të shkurtuar, së bashku me anëtarët e tjerë të grupit ‘Xibraka’. Nga gjykimi i shkurtuar dënimi zbriti në 6 vite dhe 8 muaj burgim.
Kujtojmë se dosja ‘Xibraka’ ka shkaktuar edhe debate të forta në Kuvend, ku opozita ka hedhur akuza se i përfshirë është edhe vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, i cili është paraqitur disa herë në SPAK.