I dënuar për grabitjen e 4.6 milionë eurove në Rinas, Klement Çala izolohet sërish në ’41 Biss’

Klement Çala, i dënuar me 20 vite burg për grabitjen e 4.6 milionë eurove në Rinas në vitin 2019 është izoluar në regjimin ’41 Biss’, me urdhër të ministrit të Drejtësisë dhe me kërkesë të SPAK. Klement Çala kishte dalë më parë nga “41 Biss” me një vendim gjykate, e cila kishte pranuar kërkesën e tij dhe kishte shfuqizuar urdhrin e 5 majit 2022 të ministrit të Drejtësisë.

Në tetor të vitit 2022, Gjykata e Posaçme dënoi me 122 vite burg 7 të pandehurit e grupit kriminal, ku për Klement Çalën u dha 20 vite burg, ndërsa për vëllain e tij, Eldi Çala 17 vite burg.

Kujtojmë se grabitja ndodhi më 9 prill të vitit 2019, ku në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, vodhën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare, të cilat po ngarkoheshin në avion. Gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje, Admir Murataj.