I biri u përfshi në sherrin e dhunshëm mes tifozëve në Gjermani, presidenti Vuçiç: E provokuan disa shqiptarë!

Në 16 qershor, mediat raportuan për një sherr mes tifozëve anglëzë e atyre serbë në qytetin Gelsenkirchen në Gjermani.  Gazetarët anglezë konfirmuan përfshirjen e shqiptarëve në grindje bazuar mbi burimet e policisë gjermane.

Megjithatë, pas përfundimit të ndeshjes, në një konferencë për shtyp policia e Gelsenkirchen ka thënë se zënka e dhunshme shpërtheu mes tifozëve serbë dhe anglezë.

Mes tifozëve agresivë serbë ishte edhe djali i presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, ndërsa ky i fundit ka pranuar dhunën e të birit, duke thënë se ai u provokua nga disa shqiptarë.

Gjatë një interviste për mediat vendase, Vuçiç u shpreh se djali i tij dhe serbë ishin ulur në një lokal, kur u sulmuan me karrige nga një grup shqiptarësh, tifozë të Schalkes.

Sipas Vuçiç, tifozët shqiptarë i ka shqetësuar prania e flamujve të Serbisë në kafenenë ku po qëndronin djali i tij dhe tifozët, ndërsa ndihet krenar që Danilo nuk e ka turpëruar, por i është kundërpërgjigjur sulmit.

“Kanë qenë kryesisht shqiptarë, tifozë të Schalkes, i kanë sulmuar me karrige. Ishte interesante qasja policisë gjermane që kërkoi arrestimin e tifozëve serbë. Nuk e di se çfarë duhet të bëjë dikush kur e sulmojnë me karrige dhe shishe. Ata u ulën të qetë dhe po hanin. Ishte e vetmja kafene me flamur serb dhe kjo i shqetësonte. Unë e dua djalin tim. Ai nuk e turpëroi babanë e tij në asgjë”, tha Vuçiç.

Mendohet se 150 persona u përfshinë në sherrin e dhunshëm. Policia arrestoi 7 tifozë serbë dhe një tifoz anglez.