I arrestuar me urdhër të SPAK, Erion Veliaj dërgohet te Blloku i Sigurisë te “Mine Peza”

Mesditën e kësaj të hëne (10 shkurt), është arrestuar me urdhër të SPAK, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Agjentët e BKH-së i shkuan në zyrë Veliaj dhe më pas e shoqëruan në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Më pas ai është dërguar në Bllokun e Sigurisë te “Mine Peza”. Teksa Veliaj u prangos ndaj bashkëshortes së tij Ajola, GJKKO ka caktuar “arrest shtëpie”. Ndaj Veliajt, Prokuroria e Posaçme po kryente hetime lidhur me disa akuza, si shpërdorim detyre, korrupsion aktiv, korrupsion pasiv, mosdeklarim i pasurisë dhe pastrim parash.

Agjentët e BKH-së kanë kryer disa herë kontrolle në ambientet e biznesit të bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, dhe vëllait të tij, Arbi Veliaj.

Me argumentet se nuk ekzistonte asnjë shkak i ligjshëm për të ushtruar kontrolle, familjarët e kryebashkiakut Erion Veliaj, ankimuan vendimet e kontrolleve, por u rrëzuan nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Ndërkohë pritet që SPAK të dalë sot me një njoftim zyrtar lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj Veliajt.

Arrestimi i Erion Veliajt ka detyruar kryeministrin Rama të anulojë të gjitha takimet e parashikuara për t’i zhvilluar ditën e sotme në Shkodër.

Mësohet se kryeministri është nisur menjëherë drejt Tiranës, sapo është njoftuar se kryebashkiaku i Tiranës ka rënë në prangat e SPAK. Nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi që do të mbajë kryeministri në lidhje me Veliajn, teksa kujtojmë se disa kohë më parë i doli në mbrojtje për aferën “5D”.