I akuzuar për fshehje pasurie, pushohen hetimet ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për të pushuar hetimet ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.

Burime për mediat bëjnë me dije se çështja nën hetim deri në 2024 ishte regjistruar për fshehje pasurie.

Por pas hetimeve të SPAK u konstatua se fakti nuk ekziston ndaj dhe i pushoi hetimet.

Ish-kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit më 16 korrik 2019, pasi nuk arriti të provojë mbulimin me burime të ligjshme për 4 pasuri të patundshme në Tiranë, kishte deklarim të pasaktë të burimit të blerjes së një apartamenti në Durrës si dhe mungesë dokumentimi të pagesës së tatimeve për të ardhurat e përfituara nga qiratë në vitet 1999-2007.

Në dhjetor të 2021, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka vendosur të pushojë një procedim penal për “fshehje pasurie” ndaj pesë ish-gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe dy ish-anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët u larguan nga sistemi i drejtësisë përmes vetingut ose dorëheqjeve.

Sipas vendimit të datës 30 dhjetor 2021, prokurorja Doloreza Musabelliu ka kërkuar pushimin e procedimit penal për ish-kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori dhe ish-gjyqtarët Aleksandër Muskaj, Artan Zeneli, Besnik Imeraj, Edmond Islamaj, Gani Dizdari dhe Tom Ndreca.