Kryeministri holandez Mark Rutte pritet të jetë kreu i ri i NATO-s, duke zëvendësuar në këtë detyrë Jens Stoltenberg, të cilit i ka përfunduar mandati.
Ai ka mbështetjen e shteteve të mëdha, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania, Franca dhe Gjermania, të cilat e konsiderojnë pasuesin e denjë të Stoltenberg.
Zgjedhja e tij në krye të NATO-s kishte vetëm kundërshtinë e kryeministrit hungarez Viktor Orban, por edhe ky i fundit ka dhënë dritën jeshile pas takimit me homologun holandez.
Hungaria ka pranuar kandidaturën e Rutte, por me kushtin që nuk do t’i duhet të sigurojë fonde për Ukrainën dhe të mos jetë e detyruar të dërgojë ushtarët e saj në vendin që ende është në luftë me Rusinë.
Edhe Turqia me Rumaninë dhe Sllovakinë kanë shprehur mbështetjen për Mark Rutte, që detyrën si Sekretar i Përgjithshëm i NATO do ta marrë në muajin tetor.