Hong Kong, 13 viktima nga zjarri që përfshiu skelat prej bambuje në një kompleks banimi

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë disa ndërtesa të një kompleksi të madh banimi në Hong Kong, duke shkaktuar të paktën 13 viktima dhe duke lënë persona të tjerë të bllokuar brenda, raportojnw mediat e huaja.

Pamjet nga vendngjarja treguan të paktën pesë godina pranë njëra-tjetrës të pushtuara nga flakët, ndërsa zjarri shpërthente nga dritaret e shumë apartamenteve.

Flakët u përhapën me shpejtësi përmes skelave prej bambuje dhe rrjetave mbrojtëse të vendosura përreth fasadës së kompleksit në distriktin Tai Po. Të dhënat tregojnë se kompleksi përbëhej nga tetë ndërtesa me afro 2,000 apartamente.

Policia tha se ka marrë një numër të madh telefonatash për persona të bllokuar në godinat e prekura. Sipas mediave lokale, njëri prej viktimave dyshohet të jetë zjarrfikës, por kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Zjarri u raportua në orët e pasdites dhe u klasifikua si “Alarmi Nr. 4”, niveli i dytë më i lartë i emergjencës në Hong Kong, sipas Departamentit të Shërbimeve Zjarrfikëse.

Tai Po është një zonë periferike në veri të Hong Kongut, pranë kufirit me qytetin kinez Shenzhen. Skelat prej bambuje përdoren gjerësisht në punimet e ndërtimit dhe rinovimit në Hong Kong, megjithëse qeveria ka njoftuar se së shpejti do të fillojë heqjen graduale të tyre në projektet publike për shkak të shqetësimeve për sigurinë.