HISTORIKU/ Shkëlqimi, rënia dhe ringritja e PSD-së!

Pranverën e vitit 2005, mazhoranca e kohës e drejtuar nga Fatos Nano dhe opozita e drejtuar nga Sali Berisha, kishin nisur të publikonin emrat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 3 korrikut të atij viti. Diku nëpër media u lakuan disa emra për të cilët komuniteti ndërkombëtar ishte skeptik për praninë e tyre në sallën e Kuvendit. Për këtë arsye, ambasdadorë të BE-së dhe SHBA-së tërhoqën vëmëndjen që persona me profile të dyshimta të mos përfshiheshin nëpër lista. Mediat e kohës shkruan se në këtë listë ishte edhe Tom Doshi.

Gjithsesi ai u përfshi në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së dhe fitoi në mazhoritar në një garë të drejtpërdrejtë.  Tom Doshi vazhdoi karrierën e tij në PS për disa vite për t’u shkëputur pak kohë më vonë kur iu bashkua grupit parlamentar të demokristianëve të drejtuar nga Nard Ndoka. Pak kohë qëndroi me Ndokën për tu kthyer sërish pranë Ramës në Partinë Socilaiste. Viti 2013 e gjeti në krah të liderit të opozitës socialiste, si një ndër të besuarit e tij për të hyrë në garën e rëndësishme të zgjedhjeve të qershorit 2013. Paralelisht me rritjen e profilit të politikanëve si Tom Doshi, ulej vazhdimisht rëndësia e partive të vogla si PSD e Gjinushit por do të vinte koha kur në udhëtimet e tij nëpër partitë politike, Tom Doshi do të kërkonte strehë pikërisht tek partia e Gjinushit.

PSD ishte një ndër tri partitë e para të themeluara menjëherë pas shpalljes së pluralizmit politik. Skënder Gjinushi kishte qenë ministër i arsimit në qeverinë e fundit komuniste. Kur studentët e dhjetorit u ngritën në revolta kundër regjimit diktatorial, Gjinushi ishte në krah të udhëheqësit të fundit komunist Ramiz Alia. Megjithatë, ai ia doli të thenmelojë PSFD dhe të qëndronte si parti parlamentare vitet në vazhdim. PSD mori pjesë në zgjedhje për herë të parë në vitin 1992, duke arritur të marrë mbi 73 mijë vota dhe 7 vende në Parlament. Në ato zgjedhje Partia Social Demokrate ishte e rreshtuar në krah të Partisë Socialiste, por pa mundur të fitonin shumicën. Partia Demokratike do të merrte mbi 1 milionë vota dhe 92 deputetë, një fitore që rrënjosi edhe fundin e komunizmit në Shqipëri.

Në zgjedhjet e vitit 1996 PSD nuk mori pjesë, por arriti që në zgjedhjet e një viti më vonë të merrte numrin më të madh të votave në historinë e saj, më shumë se 245 mijë. Këto vota i siguruan 10 mandate deputetësh në Kuvend, teksa së bashku me PS-morën në dorë qeverisjen e vendit.

Zgjedhjet e viti 2001 do të shënonin një rënie të PSD-së, që do të merrte 4 deputetë, por së bashku me Partinë Socialiste do të vijonin të qeverisnin vendin. Në vitin 2005 PSD e Skënder Gjinushit do të kalonte në opozitë, pavarësisht se arriti që të shtonte numrin e deputetëve në Kuvend. PSD mori 7 deputetë(Brenda listës së PSD renditeshin disa deputetë të PS-së pasi kështu shfrytëzohej sistemi zgjedhor i kohës, për të shtuar sa më shumë vota brenda koalicionit), Prej vitit 2000 PSD nuk ka fituar mandate drejtpërdrejt në mazhoritar përveçse me renditje në lista ku fitoheshin mandatet me votat e PS-së.

Ndryshimet e Kodit Zgjedhor të vitit 2008 do të ishin fatale për Partinë Social Demokrate, ashtu si edhe për shumë parti të tjera të vogla. Ndryshimi i sistemit zgjedhor bëri që PSD dhe shumë parti të tjera të vogla të mos kishin mundësi të merrnin asnjë deputet në 8 vite, në zgjedhjet e 2009 dhe 2013.

PSD nuk ishte më një faktor i rëndësishëm për mazhorancën socialiste. Por në vitin 2017 Gjinushit do ti bashkohej Tom Doshi, i cili ishte përjashtuar nga grupi parlamentar i PS-së. Kështu, PSD do të kthehej sërish në parti parlamentare. Ishte një ndër bashkimet më surprizë, Skënder Gjinushi që e ka prezantuar vetveten gjithnjë si figurë që vinte nga bota akademike, gjeti gjuhën politike me Tom Doshin, i cili ishte përjashtuar nga PS për ngjarje që kishin në thelb thashetheme për skenare vrasjesh politike. Kur u pyet nga mediat për marrëveshjen, Gjinush e vlerësoi Doshin si kapolista. “Po ai është kapolista, është i pari në listën e Shkodrës, kandidaturë më të mirë s’mund të gjenim.  Ka treguar që ka mbështetje, di ta rikthejë mandatin e njerëzve. E vë në shërbim të njerëzve. Është nga figurat më të pranuara”.

Në vitin 2021 Skënder Gjinushi do të hiqte dorë nga drejtimi i PSD-së dhe në vend të tij do të vinte Tom Doshi. Rezultati pozitiv ishte i menjëhershëm, pasi PSD jo vetëm që mori një numër të madh votash në të gjithë Shqipërinë, por siguroi edhe 3 mandate deputetësh, një prej të cilëve edhe vetë Doshi, por që vendosi të linte mandatin, pas sulmeve të shumta nga ambasada amerikane, pasi ai dhe familja e tij janë shpallur “non grata” nga SHBA prej vitit 2018.

Zgjedhjet e fundit lokale do të shënonin një tjetër sukses të Tom Doshit në drejtim të PSD-së, pasi Social Demokratët morën 143 këshilltarë bashkiakë në të gjithë vendin, një rezultat i paarritur ndonjëherë më parë, ndërsa dolën forcë e parë në Shkodër, duke triumfuar përballë PS-së dhe koalicionit Bashkë Fitojmë.

Ditar.al ka pyetur Gjinushin sa I lumtur ndjehet me sukseset e partisë që drejtoi për rreth 20 vjet dhe ia dorëzoi Tom Doshit. Jemi në pritje për të mësuar ndjesitë e fitores nga ish-lideri socialdemokrat…