Hidhet shorti në Apelin e Posaçëm, këta janë gjyqtarët që do të gjykojnë Fredi Belerin

Në Gjykatën e Posaçme të Apelit është hedhur shorti për treshen e gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e Fredi Belerit.

Kryesues do të jetë gjyqtarja Daniela Shirka, ndërsa anëtarë janë Dhimitër Lala dhe Iliriana Olldashi. Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi Belerin me 2 vite burg për korrupsion në zgjedhje, teksa tashmë do të jetë Apeli i Posaçëm që do të marrë vendimin e formës së prerë.

Nëse Beleri dënohet edhe nga kjo gjykatë, atëherë në Bashkinë e Himarës pritet të ketë zgjedhje të reja për kryetarin e ri.

Njoftimi:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më 08.05.2024, regjistroi çështjen penale nr. 32 akti, mbi ankimin e ankuesve/të pandehur Dh.A.B. dhe P.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 14, datë 05.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka deklaruar fajtor të pandehurit për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328-25 të Kodit Penal.

Sipas shortit të datës 09.05.2024, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarja Daniela Shirka (kryesuese), Dhimitër Lara (Anëtar), dhe Iliriana Olldashi (Anëtare).