Hidhet shorti, kush është trupa gjykuese që do të shqyrtojë dosjen e kryebashkiakut në GJKKO

Është hedhur shorti për përzgjedhjen e trupës gjykuese që do të gjykojë dosjen ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg që prej shkurtit të 2025-ës.

Trupa do të përbëhet nga tre gjyqtare, kryesuese do të jetë Engjëllushe Tahiri, ndërsa dy anëtaret do të jenë Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj. Kujtojmë se pak javë më parë, GJKKO kaloi për gjykim dosjen ndaj Veliaj, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa dhe të pandehurve të tjerë.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt të vitit 2025, teksa akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Pjesë e dosjes Veliaj është edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Kjo e fundit akuzohet për korrupsion në 9 raste, mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash.

Përmes hetimeve, SPAK ka zbardhur skemën korruptive që kryebashkiaku kishte ngritur së bashku me bashkëshorten e tij që ka synuar dhe bërë të mundur në praktikë marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të kryebashkiakut dhe familjes së tij përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.

SPAK nënvizon se Veliaj me firmën e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të dhe këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, siedhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh.