Hetimi ndaj Erion Veliajt, agjentët e BKH-së kontroll në apartamentin pranë qendrës “Harabel”

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar një tjetër kontroll në një apartament në zonën e ish-Bllokut që dyshohej se përdorej nga familjarët e Erion Velaijt, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për kryebashkiakun e Tiranës.

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e prokurorëve Altin Dumani dhe Olsi Dado për kontrollin e apartamentit që ndodhet pranë qendrës “Harabel” të Ajola Xoxës, qendër e cila më herët është kontrolluar nga BKH, ku janë sekuestruar edhe dokumenta.

Edhe vendimi i gjykatës për kontrollin e sotëm lejonte agjentët e BKH-së që të administronin dhe sekuestronin prova që kanë të bëjnë me hetimin që po zhvillohet.

Rreth 3 javë më parë, SPAK njoftoi se  deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna për 4 vepra penale ndaj Veliajt, konkretisht: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”. Ai rrezikon nga 7 deri në 15 vite burg.