Hetimet për Veliajn “djegin” edhe Klotilda Bushkën, SPAK merr zyrtarisht të pandehur deputeten e PS-së

Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, është marrë zyrtarisht në cilësinë e të pandehurës nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen penale ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

SPAK e akuzon Bushkën për “pengim të zbulimit të së vërtetës”, me dyshimet se ka ushtruar ndikim ndaj një dëshmitareje të përfshirë në çështjen hetimore, përpara se ajo të paraqitej në prokurori për të dhënë deklarimet e saj.

Përgjimet e siguruara nga prokurorët e SPAK zbulojnë se Bushka ka ushtruar presion mbi kushërirën e saj, Ina Goxhaj, duke i kërkuar të mohojë çdo fakt që mund të dëmtonte kryebashkiakun e Tiranës. Por, çështja nuk ndalet këtu.

Bashkë me Xoxën dhe avokatët e saj, Bushka jo vetëm që i ka ndaluar Goxhajt të dëshmojë, por edhe i ka sekuestruar telefonin, duke i dhënë një të ri për të fshirë çdo gjurmë komunikimi.

Në një mbledhje me kolegët e saj të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bushka ka mohuar akuzat, duke theksuar se nuk ka kryer asnjë veprim të paligjshëm.

Ajo ka deklaruar se ka mbështetur Ajola Xoxën, bashkëshorten e Erion Veliajt, me të cilën ka pasur bashkëpunim profesional që para hyrjes në politikë, ndërsa për Veliajn është shprehur se e njeh që nga fëmijëria, por ka komunikuar më rrallë për shkak të angazhimeve të tij institucionale.

Bushka është paraqitur disa herë në ambientet e SPAK për t’u marrë në pyetje, ndërkohë që procesi ndaj saj tashmë ka kaluar në një fazë më të avancuar, me ngritjen zyrtare të akuzës.