Shqipëria ka hapur sot grupkapitullin e fundit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, teksa kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët.
Rama u shpreh se shqiptarët janë kombi që e duan më shumë Bashkimin Europian, çfarë e kanë treguar edhe sondazhet, ndërsa shtoi se Shqipëria do bëjë gjithçka që ka në dorë për të ecur përpara.
Sipas tij, vetëm pak kohë më parë dukej e pamundur të ishim në pikën ku jemi sot, por “sprapsjet dhe grushtat në stomak” e kanë bërë vendin tonë më të fortë në rrugën drejt anëtarësimit.
“ Vetëm pak kohë më parë dukej e pamundur dhe ishim në pikën ku po mësoheshim me sprapsjet dhe grushtat në stomak, por unë besoj se ai rrugëtim na bëri më të fortë, më të vetëdijshëm për të gjithë atë natyrë të jashtëzakonshme të procesit dhe më të pjekur. Ja ku jemi sot këtu, me atë që ishte vetëm ëndërr pak më tepër se një vit më parë, është transformuar tashmë në një plan pune, një realitet me të cilin do punojmë në jetën e përditshme. Pa fjalë formale, dua të falenderoj me zemër Marien dhe Marta. Marien për transformimin e fjalëve të presidencës daneze në vepra për zgjerimin duke mbështetur dhe inkurajuar për të ecur përpara dhe marta që është kampione e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Ballkanin Perëndimor.
Me zjarr dhe vullnet të fortë, që na bën të gjithë të ndihemi plot energji dhe në borxh nëse nuk realizojmë në kohën e duhur. Jam i frymëzuar nga këto muaj dhe nga mbështetja e fortë që procesi i zgjerimit dhe i ribashkimit të Evropës po merr. Do bëjmë gjithçka kemi në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet, disiplinë dhe punë të madhe për të dhënë rezultate që ky proces që po ndërtojmë gur pas guri të mos ndalet. Sot Shqipëria del me krenari nga kjo fazë e parë dhe madje me ndjenjë edhe më të madhe përgjegjësie. Ne nuk përfaqësojmë këtu parti politike, por një komb të tërë që mbështet si askush tjetër BE dhe anëtarësimin në BE më shumë sesa 90% e qytetarëve tanë. Jam i sigurt që ata shumë pak që janë në këtë përqindje të vogël që mbetet, thjesht nuk do të ketë qenë ditë e mirë kur është bërë sondazhi se vështirë të mendojë ndonjë shqiptar që mendon se anëtarësimi në BE nuk është ideja më e mirë dhe horizonti drejt të cilit duhet të synojmë për fëmijët tanë”, tha Rama.
Ndërkohë, Komisionerja Marta Kos e cilësoi suksesin e Shqipërisë si rezultat të qytetarëve shqiptarë që kërkojnë ndryshim dhe i mbështesin këto ndryshime.
Për Kos, vendi i Shqipërisë është në Bashkimin Europian dhe vendi ynë do të ketë mbështetjen e të gjitha shteteve anëtarë për një anëtarësim sa më të shpejtë.
“Sot është një ditë e veçantë jo vetëm për Shqipërinë që hap të gjithë kapitujt, por edhe për BE. Sot tregon se BE ofron rezultate dhe mund të mbështetemi tek Shqipëria. Ky sukses nuk do ishte i mundur pa angazhimin Shqipërisë dhe mbështetjen e gjithë shteteve anëtare për të mbështetur Shqipërinë, jemi të përkushtuar ta sjellim Shqipërinë në BE, suksesi është i Shqipërisë, rezultat i punës së autoriteteve për zbatimin e reformave të rëndësishme. Është rezultat i qytetarëve shqiptarë që kërkojnë ndryshim dhe i mbështesin këto ndryshime. Shqipëria është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të zgjerimit, kur jepni rezultate, ju ecni para, jeni frymëzim për Ballkanin perëndimor. Çelja e të gjithë grupkapitujve është sukses, por mbyllja e tyre është çmimi real. Suksesi real është se sa shpejt miratoni dhe zbatoni legjislacionin real”, tha Kos.