Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka vendosur dërgimin për gjykim të çështjes penale ndaj ish-kryetares së komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, dhe ndërtuesit Rrok Gega të akuzuar për korrupsion.
Sipas SPAK, gjatë kohës që ushtronte detyrën e kryetares së komanduar të Bashkisë Tropojë, Islamaj, dyshohet se ka tentuar të favorizojë përmes një procedure tenderimi ndërtimin e një ure që do t’i shërbente interesave të familjarëve të saj.
Hetuesit kanë konstatuar se ajo ka ndërhyrë te ndërtuesi Rr.G, me qëllim ngritjen e urës mbi përroin që kalon pranë banesës së motrës së saj.
Njoftimi:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 29.09.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale me nr. 15/2026, në ngarkim të të pandehurve: Rrok Gega, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal dhe Zyra Islamaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal”.
2. Në seancën e datës 25.11.2025 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, bazuar në nenet 112, 332/dh, pika 1, gërma “a”, 332/ë, 332/gj, pika 1 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 149, datë 25.11.2025, vendosi:
I. Pranimin e kërkesës së palës kërkuese, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr.15, viti 2025 në ngarkim të të pandehurve:
1. Rrok Gega, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, parashikuar nga neni 244, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
2. Zyra Islamaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, parashikuar nga neni 259, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
II. Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me tjetër trup gjykues.
III. Fashikulli i gjykimit do të përmbajë të gjitha aktet e hetimit paraprak, të përfshira në 1 volum hetimor (përveç deklarimeve të shtetasve të pyetur me cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes).
IV. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.