Gropa ekonomike që do të “fundosë” edhe të vetëpunësuarit! Përse Rama theu premtimin duke vendosur taksimin e tyre

Sipas ligjit të ri të miratuar në Parlament, nga 1 Janari i këtij viti, të vetëpunësuarit dhe personat fizik të profesioneve të lira të përcaktuara në listën e miratuar nga Këshilli i Ministrave, do të paguajnë tatimin progresiv me normat tatimore 15% dhe 23%.

Kjo taksë e re erdhi si një “rrufe në qiell të hapur” për të vetëpunësuarit, pasi vetëm pak kohë më parë kryeministri Rama kishte premtuar se deri në vitin 2029 taksa për ata dhe biznesin e vogël do të ishte 0.

Nëpërmjet ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, nga 1 janari 2024 të vetëpunësuarit e profesioneve të lira nuk do të trajtohem më si biznes i vogël me 0%, por të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi, pas shpenzimeve të zbritshme sipas nenit 22 të ligjit, të vetëpunësuarit do të tatohen me normat 15% për fashën 0 deri në 14,000,000 lekë dhe mbi 14,000,000 lekë vendoset tatimfitimi 23%.

“Për të ardhurat vjetore nga biznesi, për të cilat baza e tatimit është e ardhura neto e tatueshme, pra diferenca e të ardhurave minus shpenzimet e zbritshme, zbatohen normat progresive, si më poshtë:

a) 15% për të ardhurat neto të tatueshme (fitimi i tatueshëm) deri në 14.000.000 lekë në një vit tatimor;

b) 23% për çdo lekë shtesë të të ardhurave neto të tatueshme (fitimit të tatueshëm) mbi 14.000.000 lekë në vit”, thuhet në udhëzimin e përgjithshëm “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Por përse Rama e theu premtimin ndaj qytetarëve?

Shifrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, tregojnë se numri i personave që dalin në pension është rritur ndjeshëm në krahasim me personat që punojnë dhe derdhin kontribute shoqërore. Gjatë vitit 2021, në Shqipërisë përfitonin pension 673.813 qytetarë, ndërsa në vitin 2022, 686.923, ndërkohë që në vitin 2023 numri i pensionistëve është rritur edhe më shumë.

Rritja e rrogës minimale dhe pagave të administratës kanë rritur shumën e kontributeve shoqërore që derdhen në buxhetin e shtetit, por sërish është e pamjaftueshme për të ulur diferencën mes të ardhurave dhe shpenzimeve.

Sipas shifrave, të ardhurat e ISSH-së janë rreth 1.417 miliardë euro, ndërkohë që shpenzimet janë 1.630 miliardë euro, çfarë do të thotë se janë më shumë se 200 milionë euro deficit

Taksimi i të vetëpunësuarve do të rriste të ardhurat e ISSH-së, por do të dëmtonte dhe do të varfëronte shtresën e mesme. Të vetëpunësuarit do të detyrohen të rrisin tarifat, çfarë do të sillte rritjen e kostove për bizneset që marrin shërbimin e tyre.

Të ardhurat e bizneseve do të binin, disa do të falimentonin, duke sjellë edhe më shumë rritjen e varfërisë dhe papunësisë.

Ky ligj është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga kontabilistët, pasi sipas tyre krijon pabarazi, ndërkohë që edhe dëmton ekonominë e familjeve të të vetëpunësuarve.