Ministria e Bujqësisë njofton se janë asgjësuar 498 mijë pulat ë ngordhura në dy kompanitë “Rea’s” dhe “AIBA”, të prekura nga gripi i shpemdëve. Ministria e Bujqësisë thotë se asgjësimi i tyre është bërë përmes procesit të djegies, por pa dhënë më tepër detaje mbi vendin.
Vatra e parë me gripin e shpendëve u njoftua nga Ministria e Bujqësisë më 3 mars tek ferma Rea’s në Rrashbull të Durrësit, dhe më 13 mars u infektua edhe ferma e AIBA-s në pronësi të Armand Dukës.
Burime për mediat bëjnë më dije se deri më tani janë asgjësuar mbi 975 mijë vezë të kontaminuara të dy kompanive pasi ndodheshin në kapanonet ku u infektuan shpendët.
“Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural sqaron se referuar situatës së Influencës Aviare në dy stabilimente në zonën e Durrësit, janë marrë masat e mënjëhershme për eleminimin dhe asgjësimin e sigurtë të 497 986 krerëve shpendë të ngordhura, me anë të metodës se Rendering-ut.
Ky process asgjësimi u bazua në aktet ligjore në fuqi, në Republikën e Shqipërisë, si më poshtë:
Në zbatim të nenit 80 të Ligjit nr.10465, datë 29.09.2011 “Për shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar i cili parashikon :
• Groposjen ose djegien e kadavrave të kafshëve në qendrat e përpunimit, pas ngordhjes, sipas rregullave sanitaro-veterinare.
• Qendrat përcaktohen nga organet e qeverisjes vendore, me pëlqimin e shërbimit veterinar rajonal dhe agjencive shtetërore përgjegjëse për mjedisin.
• Groposja ose djegia e kadavrave të kafshëve në qendrat e përpunimit, post mortem, kryhet nën mbikëqyrjen e veterinerit zyrtar.
Në zbatim të Urdhërit Nr. 213, datë 4.03.2025 “Për disa shtesa dhe ndryshime në urdhrin nr. 411, datë 20.9.2022 “Për miratimin e Planit të Kontigjencës për Sëmundjen e Gripit të Shpendëve (Influenca aviare)” i cili parashikon:
• Eliminimin nëpërmjet groposjes dhe në një qendër përpunimi i karkasave, vezëve mbeturinave shtazore, ushqimit, plehut sipas legjislacionit në fuqi. • Procesi i asgjësimit të ngarkesave të kafshëve të ngordhura ose të eliminuara në qendrat e përpunimit, ndiqet nga veterineri zyrtar i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, një përfaqësues nga Drejtoria Rajonale e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe një përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”- thuhet në njoftimin e Ministrisë.