Zyrtarët shëndetësorë në Greqi janë në gatishmëri të lartë pas konfirmimit të rastit të parë në vend me metapneumovirus human (HMPV). Virusi, i shoqëruar shpesh me sëmundje të frymëmarrjes, u zbulua te një 71-vjeçar në Selanik.
Vajza e pacientit ishte kthyer së fundmi nga një udhëtim pushimi në Kinë, duke ngritur shqetësime për transmetimin e mundshëm ndërkombëtar. Vetëm disa ditë pas kthimit të saj, burri filloi të përjetonte simptoma dhe kërkoi kujdes mjekësor në një klinikë private.
Një test PCR i administruar të shtunën doli pozitiv për HMPV të hënën. Para diagnozës, pacienti ndante një dhomë me dy të tjerë. Pas konfirmimit, ai është vendosur menjëherë në izolim dhe kanë nisur procedurat e gjurmimit të kontaktit.
Mësohet se gjendja e pacientit është përkeqësuar të martën. Autoritetet po monitorojnë nga afër situatën dhe theksojnë rëndësinë e masave parandaluese, si larja e rregullt e duarve dhe higjiena e frymëmarrjes.
Metapneumovirusi njerëzor (HMPV) është virus respirator, i cili shkakton simptoma të ngjashme me gripin dhe ftohjen, por ai mund ta rrisë rrezikun apo të shkaktojë më shumë komplikime, si bronkiti apo pneumonia, posaçërisht te të moshuarit dhe fëmijët e vegjël.
Kjo sëmundje është e së njëjtës familje si virusi respirator sincicial (RSV) dhe është shfaqur që nga viti 2001, kur u identifikua për herë të parë në Holandë.
Ky virus përhapet gjatë sezoneve të ftohta.