Grabitja në Rinas/ Vëllezërit Çala i drejtohen Kushtetueses, kërkojnë rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lartë

Vëllezërit Klement dhe Eldi Çala i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Lartë për dosjen e grabitjes së bujshme në aeroportin e Rinasit.

Përmes avokatëve Evjola Shehu dhe Neshat Fana, ata kërkojnë prishjen e vendimit aktual dhe rikthimin e dosjes për shqyrtim të ri.

Në argumentet e paraqitura pretendohet se gjatë procesit gjyqësor janë cenuar standardet e procesit të rregullt ligjor, si edhe të drejtat e garantuara nga Kushtetuta.

Për këtë ngjarje, Klement Çala është dënuar me 20 vite burg, ndërsa Eldi Çala me 17 vite burg. Në total, për të akuzuarit e grupit janë konfirmuar mbi 120 vite burg.

Kujtojmë se grabitja ndodhi më 9 prill të vitit 2019, ku në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, vodhën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare, të cilat po ngarkoheshin në avion. Gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje, Admir Murataj.