Grabitja e miliona eurove në Rinas, mbetet në fuqi dënimi me 18 vjet burg për Talo Çelën

Mbetet në fuqi dënimi me 18 vjet burg për të shumëkërkuarin e drejtësisë, Talo Çela, në lidhje me grabitjen e miliona eurove në Aeroportin e Rinasit, në prill të vitit 2019.

Në këtë dosje nuk ka pasur apelim nga ana e palës mbrojtëse dhe as nga vetë i pandehuri, pasi ndodhet në arrati.

Disa muaj pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoi me 18 vite burg në mungesë Talo Çelën, vendimi merr edhe formë të prerë.

Kjo për shkak se ka kaluar çdo afat ligjor për të bërë kundërshtim në Apelin e Posaçëm, kohë gjatë të cilës askush nuk ka paraqitur ankesë.

I shumëkërkuara Talo Çela u gjet fajtor për grabitjen e 4.5 milionë eurove në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.

Gjykata e Posaçme në tetor të vitit të shkuar dënoi me 122 vite burgim 7 të pandehurit e grupit kriminal.

Në këtë ngjarje mbeti i vdekur organizatori kryesor i grabitjes Admir Murataj. Nga zbardhja e komunikimeve në Sky Ecc, të Prokurorisë së Posaçme, Talo Çela është shprehur se nëse do i dilnin prova për grabitjen e Rinasit, ai do të ndryshonte indentitet dhe do shkonte në Brazil.

Talo Çela rezulon në listën e personave më të kërkuar, ndërsa emri i tij përmendet në shumë ngjarje të tjera kriminale. Ai po gjykohet edhe në dosjen e njohur si “Plumbi i Artë”, ku i penduari tjetër i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka rrëfyer ngjarjet kriminale.