EMRI/ Tentohet të grabitet me armë filiali i Fibank në Tiranë, arrestohet autori  

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë ku një person ka tentuar që të grabisë me armë një bankë të nivelit të dytë.

Ngjarja është regjistruar paraditen e kësaj të enjteje, në zonën e ish-parkut të autobusëve në Tiranë, ku autori në kërcënimin e armës, ka tentuar të futet brenda bankës Fibank për të kryer grabitjen, duke krijuar frikë dhe panik mes punonjësve të bankës

Mësohet se autori, Bardhyl Fusha, ka qëlluar njëherë me armë zjarri. Megjithatë ai nuk ka arritur të kryejë grabitjen, pasi është neutralizuar dhe vënë në pranga nga uniformat blu.

“Rreth orës 11:15, në Rrugën e Kavajës, shtetasi B. F., rreth 58 vjeç, dyshohet se ka hyrë në ambientet e një banke, me qëllim vjedhjen e saj, duke qëlluar me armë zjarri, në dysheme. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar.

Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe kanë bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar në tentativë për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Autori i dyshuar është shoqëruar në Komisariat. 
Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit. 

Në përfundim të veprimeve hetimore do të jepet informacion më i plotë për rastin”, njofton policia.