Goditje për AliExpress, Komisioni Evropian vendos gjobë rekord prej 550 milionë eurosh

Bashkimi Evropian po intensifikon masat ndaj platformave kineze të tregtisë elektronike, duke shtuar kontrollet për respektimin e rregullave dhe duke vendosur tarifa të reja për importet nga faqet e modës së shpejtë si Temu, Shein dhe AliExpress.

Komisioni Evropian njoftoi të hënën se ka gjobitur AliExpress me 550 milionë euro, pasi konstatoi se kompania nuk kishte vlerësuar dhe parandaluar në mënyrë të mjaftueshme rreziqet që lidhen me shitjen e produkteve të paligjshme, të pasigurta dhe të falsifikuara në platformën e saj.

Vendimi vjen vetëm pak ditë pasi BE-ja vendosi një tarifë fikse prej 3 eurosh për çdo pako me vlerë nën 150 euro, e cila më parë hynte në tregun evropian pa detyrime doganore. Masa pritet të ndikojë ndjeshëm në modelin e biznesit të gjigantëve kinezë të shitjeve online, si AliExpress, Shein dhe Temu.

Gjoba është rezultat i procedurave zyrtare të nisura në vitin 2024 për shkelje të mundshme të Aktit për Shërbimet Digjitale (Digital Services Act). Sipas Komisionit Evropian, AliExpress nuk kishte krijuar një sistem efektiv për identifikimin dhe largimin e produkteve të paligjshme, ndërsa kishte nënvlerësuar numrin e moderatorëve njerëzorë të nevojshëm për të përballuar volumin e produkteve në platformë.

Hetimi zbuloi gjithashtu se kontrollet e përputhshmërisë së produkteve ishin të cenueshme ndaj abuzimeve. Shitës të pandershëm dyshohet se i klasifikonin produktet në kategori me kërkesa më të lehta për të shmangur kontrollet.

Sipas Komisionit, një numër i madh produktesh të paligjshme, përfshirë lodra të pasigurta për fëmijë dhe produkte kozmetike të rrezikshme, vazhdonin të shiteshin në platformë edhe pasi ishin raportuar, duke qëndruar online për javë të tëra.

Po ashtu, Komisioni konstatoi se AliExpress nuk zbatonte në mënyrë efektive politikën e penalizimit, duke lejuar që dyqanet që shisnin produkte të paligjshme të vazhdonin aktivitetin edhe pasi ishin sanksionuar.

Edhe sistemi i autorizimit të markave tregtare, i krijuar për të parandaluar shitjen e produkteve të falsifikuara, u vlerësua si joefektiv, pasi shitësit arrinin të anashkalonin kontrollet dhe të hidhnin në treg produkte të rreme.

Komisioni Evropian i ka lënë afat AliExpress-it deri më 20 tetor 2026 për të paraqitur një plan veprimi me masat që do të ndërmarrë për të adresuar shkeljet e konstatuara. Më pas, ekzekutivi evropian do të vendosë brenda dy muajve nëse nevojiten masa të tjera.

Në një reagim, kompania deklaroi se ka investuar burime të konsiderueshme në vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve, sigurinë e produkteve dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

“Ne nuk pajtohemi me vendimin e sotëm dhe me gjobën, të cilën e konsiderojmë joproporcionale dhe që nuk pasqyron përmirësimet e rëndësishme që kemi bërë në mënyrë proaktive. Po e shqyrtojmë me kujdes vendimin dhe të gjitha mundësitë ligjore në dispozicion,” thuhet në deklaratën e kompanisë.