Shtëpia e Bardhë ka lëshuar një paralajmërim të prerë se SHBA-së do t’i mbarojnë fondet për të ndihmuar Ukrainën deri në fund të vitit, kur është parashikuar të jepet ndihma e fundit.
Alarmi është ngritur nga Shalanda Young, drejtoresha e buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, në një letër drejtuar udhëheqësve të Kongresit të hënën, ku theksohet se dështimi i Kongresit për të miratuar paketën e rë të ndihmave do të “gjunjëzonte” Kievin.
”Pa veprime të Kongresit, deri në fund të vitit ne do të na mbarojnë burimet për të blerë më shumë armë dhe pajisje për Ukrainën dhe për të siguruar pajisje nga rezervat ushtarake të SHBA-së”, u shkruan Young liderëve politikë të të dyja partive.
”Nuk ka asnjë dritare magjike financimi për të përmbushur këtë moment. Na kanë mbaruar paratë dhe pothuajse nuk ka kohë”, tha ajo.
Kërkesa e presidentit Joe Biden për 106 miliardë dollarë fonde emergjente për prioritetet e tij më të mëdha të politikës së jashtme, përfshirë Ukrainën, Izraelin dhe Indo-Paqësorin, mbetet në ngërç në Capitol Hill, e nxitur nga kundërshtimi në rritje i republikanëve për të ndihmuar Kievin.
Disa ligjvënës – veçanërisht në Senat, ku mbështetja për Ukrainën shkon më thellë – po përpiqen të negociojnë një marrëveshje dypartiake që do të ketë ndihmë për Kievin së bashku me procedurat e reja të imigracionit dhe azilit për të zvogëluar numrin e njerëzve pa dokumente që mbërrijnë në SHBA përmes kufirit të saj jugor.
Edhe nëse një marrëveshje arrihet në Senat, megjithatë, është e paqartë nëse ajo mund të kalojë Dhomën e udhëhequr nga republikanët, kryetari i ri i së cilës Mike Johnson ka qenë skeptik për financimin e Ukrainës.
”Ndërprerja e fluksit të armëve dhe pajisjeve amerikane do të gjunjëzojë Ukrainën në fushën e betejës, jo vetëm duke vënë në rrezik fitimet që ka bërë Ukraina, por duke rritur gjasat e fitoreve ushtarake ruse”, i shkroi Young Kongresit.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.