Gjigandi amerikan i teknologjisë Apple është urdhëruar të paguajë një gjobë prej 1.8 miliardë eurosh për abuzimin me pozitën e tij dominuese në treg për shpërndarjen e aplikacioneve të transmetimit të muzikës për përdoruesit e iPhone dhe iPad, njoftoi sot (4 mars) Komisioni Evropian.
Ekzekutivi i BE-së filloi hetimin e akuzave ndaj Apple për pengimin e shërbimeve të tjera muzikore në pajisjet e saj, pasi kompania suedeze e transmetimit të muzikës Spotify paraqiti një ankesë zyrtare në vitin 2019.
Kompania aplikoi kufizime për zhvilluesit e aplikacioneve duke i penguar ata të përdornin shërbime më të lira të abonimeve muzikore jashtë aplikacionit, sipas hetimit.
Spotify pretendoi se Apple e kufizoi zgjedhjen dhe konkurrencën në dyqanin e saj të aplikacioneve (App Store) duke vendosur një tarifë prej 30% për të gjitha blerjet dhe duke i penguar të tjerët të informojnë klientët se mund të shmangin tarifat shtesë duke u regjistruar në faqen e internetit të Spotify.
“Për një dekadë, Apple abuzoi me pozicionin e saj dominues në treg për shpërndarjen e aplikacioneve të transmetimit të muzikës përmes App Store. Ata e bënë këtë duke kufizuar zhvilluesit që të informonin konsumatorët për shërbimet muzikore alternative dhe më të lira të disponueshme jashtë ekosistemit Apple. Kjo është e paligjshme sipas rregullave antitrust të BE-së, kështu që sot kemi një gjobë”, tha nënpresidentja e Komisionit Margarethe Vestager.
“Disa konsumatorë mund të kenë paguar më shumë – sepse nuk ishin në dijeni. Të tjerët mund të mos kenë qenë në gjendje të gjejnë alternativa dhe nuk e kanë përdorur fare. Ne i konsiderojmë ato si kushte të padrejta tregtare,” shtoi Vestager.
Apple tani duhet të heqë këto kushte dhe t’u përmbahet rregullave në të ardhmen, dhe përveç kësaj gjigandi i teknologjisë duhet të lejojë zhvilluesit të komunikojnë me përdoruesit e tyre.
Në një përgjigje ndaj gjobës së sotme, Apple tha në një deklaratë se do ta apelojë vendimin.
“Ne kemi ndihmuar tregjet të lulëzojnë, duke promovuar konkurrencën dhe inovacionin në çdo hap – dhe App Store është një pjesë e rëndësishme e kësaj historie. Pra, ndërsa ne respektojmë Komisionin Evropian, faktet thjesht nuk e mbështesin këtë vendim. Dhe si rezultat, Apple do ta apelojë”, thuhet në njoftim.
Sipas deklaratës së Apple, Spotify e ka rritur kompaninë e saj në biznesin më të madh të muzikës dixhitale në botë.
“Pavarësisht këtij suksesi dhe rolit të App Store për ta bërë të mundur këtë, Spotify nuk i paguan asgjë Apple. Kjo sepse Spotify – si shumë zhvillues në App Store – bëri një zgjedhje. Në vend që të shesin abonime në aplikacionin e tyre, ata i shesin në faqen e tyre të internetit. Dhe Apple nuk mbledh një komision për këto blerje, “tha kompania.
Apple e cila kurrë më parë nuk kishte marrë një dënim të tillë për shkelje nga Komisioni Evropian, mori gjithashtu një gjobë prej 1.1 miliardë eurosh në Francë për sjellje të supozuara kundër konkurrencës në vitin 2020, e cila u ul në 372 milionë euro pasi u apelua.
Gjoba vjen pasi të ashtuquajturit “gatekeeper” , duke përfshirë Apple, Amazon dhe Google, duhet të pajtohen me Aktin e Tregjeve Dixhitale të BE-së më 7 mars. Këto rregulla kërkojnë që kompanitë më të mëdha të teknologjisë të ndajnë informacione rreth shërbimeve të tyre me konkurrentët e tyre.