Goditja e bandës së Suel Çelës/ Disa prej anëtarëve të arrestuar në Itali e Belgjikë, SPAK do të përcjellë kërkesat për ekstradimin e tyre në Shqipëri

SPAK pritet që të përcjellë javën e ardhshme kërkesat për ekstradimin e disa prej anëtarëve të bandës së Suel Çelës, të cilët janë arrestuar pas bashkëpunimit me auotritetet në Belgjikë apo Itali.

Mes tyre janë persona kyç të bandës së Elbasanit, si vëllai i Suel Çelës, Mario Çela, i cili është arrestuar para pak ditësh në Belgjikë, pas një bashkëpunimi mes SPAK dhe autoriteteve belge.

Prokuroria e Posaçme lëshoi në total 21 masa sigurie, mes tyre 18 “arrest me burg”, ku një pjesë janë ekzekutuar jashtë vendit. Banda drejtohet nga Suel Çela, i cili vijon të jetë në kërkim nga autoritetet tona, ndërsa disa operacione për kapjen e tij kanë dështuar.

Ndërkohë SPAK doli me një njoftim dje duke u bërë thirrje mediave që të ndalojnë publikimin e akteve hetimore të dosjes deri në përfundim të hetimeve.

Sipas SPAK, çdo publikim i paautorizuar jo vetëm dëmton procesin hetimor, por krijon pasoja të rënda për sigurinë e palëve të përfshira dhe integritetin e procesit hetimor.