Autoritetet spanjolle kanë shkatërruar një organizatë kriminale shqiptare, që grabiste shtëpi luksoze në vend dhe në Portugali.
Mediat spanjolle bëjnë me dije se në pranga kanë rënë 7 shqiptarë, të cilët kanë kryer grabitje të dhunshme, duke kërcënuar pronarët e banesave dhe në total kanë arritur që të vjedhin sende me vleri prej të paktën 10 milionë euro.
Hetimet për grupin kriminal kishin nisur në qershor të vitit të kaluar, kur anëtarët e Institutit të Armatosur u morën në dijeni për një seri grabitjesh që ishin raportuar në komplesin luksoz Sotogrande, që ndodhet në San Roque, Cádiz.
Gjatë grabitjeve, shquptarët që nuk janë identifikuar ende nga mediat spanjolle kanë fshehur fytyrat, të veshur me të zeza dhe me doreza. Ata kanë grabitur kryesisht bizhuteri dhe sende luksi, që mund t’i mbanin në çanta shpine.
Po ashtu, ata kanë përdorur makina me fuqi të lartë, të vjedhura më parë dhe me targa false, për të transportuar mallin në pronën e vendosur në provincën e Seviljes.
Gjatë aksionit në vilën ku ky grup kishte bazën u sekuestruan 44,500 euro, 23,700 dollarë amerikanë dhe 603,000 grivna ukrainase, dy automjete të përdorura për grabitjet, me kasaforta dhe mjete për hapjen e dyerve, telefona celularë, radio-komunikues dhe veshje të zeza që përdornin gjatë grabitjeve.