Gjyqtarët dhe prokurorët që kaluan vetingun shqetësojnë Altin Dumanin, kreu i SPAK: Ka premisa që mund të kryejnë akte korruptive

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani gjatë një takimi me përfaqësues të shoqërisë civile, u shpreh se institucioni që ai drejton ka marrë në ndjekje penale disa prej gjyqtarëve në vend. Megjithatë ai ngriti një shqetësim në lidhje me gjyqtarët apo prokurorët që tashmë kanë kaluar procesin e vetingut dhe aktualisht janë në sistemin e drejtësisë, por sipas kreut të SPAK ka premisa që mund të kryejnë veprime korruptive.

Altin Dumani u bëri thirrje institucioneve shtetërore, që të furnizojmë SPAK me informacione apo kallëzime, sa i takon luftës kundër korrupsionit.

Dumani kishte një thirrje për të gjithë qytetarët, që të denoncojnë çdo akt korruptiv të gjyqtarëve apo prokurorëve.

“SPAK ka marrë në ndjekje penale gjyqtarë të Kushtetueses, të Gjykatës se Lartë, të KPA, prokurorë të juridiksionit të përgjithshëm, apo oficerë të policisë gjyqësore. Shqetësimi më i madh për SPAK nuk janë subjektet e shkarkuara, por ata që kanë kaluar këtë proces dhe vijojnë të ushtrojnë funksionin.Problem është që janë në sistem dhe kanë premisa për të kryer veprime korruptive. Secili institucion të përmbushë detyrimet e veta. I bëj thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo akt korruptiv të gjyqtarëve apo prokurorëve. Institucionet përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit duhet të jenë aktive dhe të furnizojnë SPAK me informacion”,– tha Dumani.

Ky i fundit, shtoi se SPAK ka pasur dhe raste ku ka aplikuar ligjin anti-mafia dhe ka konfiskuar pasuri të subjekteve të shkarkuar nga procesi i vlerësimit. 

Më tej Altin Dumani tha se në fund të muajit dhjetor, drejtuesi i SPAK merr kompetencat e Komisionerit Publik në KPA.