Gjyqi për vrasjen e Martin Canit, çfarë dëshmoi oficerja e sigurisë së shkollës “Fan Noli”

Këtë të enjte në Gjykatën e Tiranës është mbajtur gjyqi për vrasjen e 14 vjeçarit, Martin Cani nga bashkëmoshatari, Mario Përlleshaj.

Në seancën me dyer të mbyllura ka dëshmuar një mësues, një polic i Bashkisë Tiranë dhe oficerja e sigurisë së shkollës “Fan Noli”, J.K

Kjo e fundit tha në gjyq se mësuesja K.S i ka folur për disa nxënës që kishin folur me tone të larta dhe këtë bisedë e kishin kryer në tualetin e shkollës.

“Shkova dhe pashë që nxënësit nuk ishin më në tualet”, dëshmoi oficerja e sigurisë.

Ajo ka thirrur viktimën, për të cilin mësuesja kishte thënë që kishte folur me zë të lartë dhe se “kishte sharë në tërësi”.

“Por aty, këtë gjë e kishte marrë personale Mario Përlleshaj dhe kishin bërë debat. Thirra Përlleshajn dhe më shpjegoi se nuk kishte asnjë problem mes tyre dhe se ishin në rregull”, kujtoi oficerja e sigurisë.

I akuzuari për krimin që tronditi opinionin publik disa muaj më parë nuk ishte i pranishëm. Ndërkohë seanca e radhës do të zhvillohet më datë 14 korrik.

Gjyqtarja vendosi të njoftojë sërish Përleshajn, pasi ai pritet të pyetet për rastin, ose të refuzojë kërkesën për t’u pyetur.