Gjykata Administrative ka vendosur të rikthejë në detyrë Alban Dokushin si Sekretar të Përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës.
Sipas vendimit të gjykatës, shkarkimi i tij ka qenë në kundërshtim me ligjin, dhe vendimi për rikthimin e tij në detyrë është i menjëhershëm.
Alban Dokushi njihet si një nga njerëzit më të besuar të Erion Veliajt, dhe u shkarkua nga detyra kur Bashkinë e mori nën drejtim Anuela Ristani. Ai u largua së bashku me disa zyrtarë të tjerë të afërt me Veliajn, i cili ndodhet në burg.
Kujtojmë se Erion Veliaj qëndron në burg prej Shkurtit të vitit të shkuar, pasi akuzohet për veprat penale: Korrupsion pasiv; pastrim parash; dhe Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive.
SPAK ka zbardhur skemën korruptive që kryebashkiaku kishte ngritur së bashku me bashkëshorten e tij që ka synuar dhe bërë të mundur në praktikë marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të kryebashkiakut dhe familjes së tij përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.
SPAK nënvizon se Veliaj me firmën e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të dhe këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar se fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e Veliajt, kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e tij dhe rrethi i saj familjar, përmes OJF-ve dhe personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga Ajola Xoxa.
SPAK thotë se bashkeshortja e Veliaj, Ajola Xoxa për katër vite ka bërë blerje online duke shpenzuar plot 860 mijë euro për bizhu dhe veshje. Këto shpenzime nuk janë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë së Tiranës dhe personave lidhur me të.
Ndërkohë biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, të cilët akuzohen nga SPAK për “Korrupsion aktiv” kanë dhënë përfitime të parregullta ndaj Veliajt dhe Xoxës, duke përfituar fonde publike dhe leje ndërtimi në këmbim të shërbimeve të dyshimta dhe transaksioneve të fshehura.