Gjykata lë në burg 3 fëmijët që vranë dhe groposën babanë në oborr

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 3 fëmijët e familjes Meta, të cilët vranë babanë dhe e groposën në oborr.

Hysen Meta është akuzuar për vrasje në rrethana familjare, Hygerta Meta për fshehje dhe asgjësim të kufomës, ndërsa Amarildo për asgjësim të kufomës në bashkëpunim.

Gjatë seancës së sotme në gjyq të 3 fëmijët kanë ndryshuar dëshmi të e tyre. Hyseni që dyshohet se ka qëlluar mbi Pëllumb Metën, tha se ka qenë motra e tyre, Hygerta Meta, e cila ka vrarë babain, për shkak të debateve të shumta që kanë pasur.

“E qëlloi se donte ta fejonte me zor! Kishin debatuar shumë herë! S’kam qenë i pranishëm gjithmonë. Babi mua s’më pyeste për ketë pjesë! Marrëdhëniet i kam pas jo shume të mira! Kam thënë ndryshe para oficerit sepse isha i hutuar dhe na ka ardhur keq. Për atë që ka ndodhur. As vëllezërve të vet nuk u ka ardhur aq keq sa na erdhi ne”- ka thënë ai.

Djali i vogël i familjes, Amarildo, i cili bashkëpunoi me vëllain e madh dhe motrën për të fshehur trupin e babait të tyre në kasollen afër shtëpisë tregoi se kishte shkuar në banesë më 10 shkurt në orën 18:30, ku kishte gjetur nënën e shqetësuar, e cila më pas i kishte treguar për ngjarjen.

Po ashtu ai ka rrëfyer lëvizjet e tyre, për të fshehur gjurmët për krimin, që u regjistrua në një prej dhomave të banesës.

“Erdha në shtëpi në orën 18 e 30 minuta, gjeta mamanë të shqetësuar dhe më tha; se kishin vrarë babain. Sapo kisha ardhur nga puna. Më pas nisëm që të fshihnim gjurmët. I kërkova shokëve një makinë që të bënim lëvizjet tona”, tha Amarildo.

Ndërkohë Hygerta Meta, ka thënë se vëllai i tyre dhe nëna e morën vesh për ngjarjen pasi erdhën në banesë.

“Vëllai dhe nëna kanë mësuar vrasjen më vonë kur kanë ardhur në banesë. Jemi marrë me fshehjen e armëve dhe gjurmëve”, ka deklaruar Hygerta Meta në gjykatë.