Gjykata Kushtetuese rrëzon biznesmenin Pëllumb Gjoka, përgjimet e Sky ECC do të përdoren në hetime

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e biznesmenit Pëllumb Gjoka për pavlefshmërinë e provave nga komunikimet në “Sky ECC” dhe “EncroChat”, teksa ai u arrestua pasi emri i tij doli në bisedat e aplikacioneve të krimit.

Pëllumb Gjoka, i shpallur edhe investitor strategjik u arrestua me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit “Metamorfoza” ,që çoi në shkatërrimin e grupeve kriminale dhe faktoi bashkëpunimin e zyrtarëve të lartë të policisë me krimin.

Disa muaj më parë, Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet për biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish shefin e Operacionales, Oltion Bistri, ish prokurorin Xhevahir Lita dhe 4 të tjerë, të arrestuar në kuadër të operacionit policor “Metamorfoza”, duke u komunikuar zyrtarisht akuzat ndaj tyre.

Përvec tyre, SPAK përfundoi hetimet dhe ka dërguar për gjykim Behar Bajri, Astmer Bilali, Edmond Preka, Ardrit Hasanbegaj.

Ndaj tyre rëndojnë akuza të rënda, si organizim vrasjesh, grupi i strukturuar kriminal, apo kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale.

Konkretisht ndaj Pëllumb Gjokës rëndojnë akuzat: “Vrasja me paramendim”, në dëm të viktimës Gjin Ndoj (Boriçi), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Kleant Musabelliu, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”,  dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.