Ka nisur gjykimi në themel i dosjes Metamorfoza, pasi ditë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e biznesmenit Pëllumb Gjoka, që të cilësoheshin si të paligjshme përgjimet e Sky Ecc.
Në seancën e sotme, biznesmeni Gjoka nuk ishte i pranishëm, por ai u përfaqësua nga dy avokatët e tij, Ylli Manjani dhe Gurali Brahimllari.
Ndërkohë avokati i ish-shefit të policisë, Ardit Hasanbegaj ka kërkuar shtyrje të seancës, për shkaqe procedurale për të patur kontakt me klientin dhe një mbrojtje efektive.
Edhe mbrojtja e Gjokës kërkoi shtyrje të seancës deri në publikim e vendimit të plotë të GJK, që jep arsyetimin sa i takon rrëzimit të kërkesës për Sky Ecc. Seanca e radhës u la për më datë 21 Janar.
Kujtojmë se disa muaj më parë, Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet për biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish shefin e Operacionales, Oltion Bistri, ish prokurorin Xhevahir Lita dhe 4 të tjerë, të arrestuar në kuadër të operacionit policor “Metamorfoza”, duke u komunikuar zyrtarisht akuzat ndaj tyre.
Përvec tyre, SPAK përfundoi hetimet dhe ka dërguar për gjykim Behar Bajri, Astmer Bilali, Edmond Preka, Ardrit Hasanbegaj.
Ndaj tyre rëndojnë akuza të rënda, si organizim vrasjesh, grupi i strukturuar kriminal, apo kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale.