GJKKO liron nga burgu Xhelal Rrajën, vëllai i ish-deputetit të PS pjesë e grupit që do vrisnin Arben Ndokën

GJKKO ka pranuar kërkesën e Xhelal Rrajës për zëvendësimin e masës “arrest me burg” me një masë më të lehtë sigurie.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca vendosi masën “arrest shtëpie” ndaj Xhelal Rrajës, i cili akuzohet si pjesë e një grupi kriminal që dyshohet se kishin planifikuar vrasjen e ish-deputetit socialist, Arben Ndoka.

Sipas vendimit, vëllai i ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja detyrohet të qëndrojë në banesën e tij dhe nuk lejohet të largohet për asnjë arsye pa autorizimin e organeve kompetente. Po ashtu, gjykata ka vendosur ndalimin e komunikimit të tij me persona të tjerë, me përjashtim të familjarëve që bashkëjetojnë me të.

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Kërkuesi Xhelal Rraja me datë 17.12.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit të vendimit Nr. 49, datë 15.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, miratuar me vendimin Nr. 78, datë 12.07.2024 të kësaj Gjykate dhe caktimin e masës së sigurimit atë të “Detyrimit për t’u paraqitur pranë Oficerit të Policisë Gjyqësore”, për këtë shtetas”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca, me vendimin nr. 26, datë 04.02.2026, vendosi:

1. Pranimin e kërkesës.

2. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” caktuar ndaj të pandehurit Xhelal Rraja, me vendimin Nr. 49, datë 15.05.2024 dhe me vendimin Nr.78, datë 12.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.

3. Urdhërohet i pandehuri Xhelal Rraja, të mos largohet nga banesa e tij, e cila ndodhet në ****, Njësia Administrative ****, ****.

4. Urdhërohet i pandehuri Xhelal Rraja, të mos komunikojë me persona të tjerë, me përjashtim të personave që bashkëjetojnë me të.

5. Zbatimi dhe mbikqyrja e vazhdueshme e kësaj mase sigurimi të bëhet nga Komisariati i Policisë që mbulon vendbanimin e tij.

6. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit Xhelal Rraja, nga ambjentet e paraburgimit nëse nuk mbahet i arrestuar, i ndaluar ose i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.

7. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.